Globalizimi Kulturor

Në fillim duhet të bëjmë dallimin midis termave globalizëm (globalism) dhe globalizim,

globalizacion (globalization). Globalizmi, në thelbin e tij, përshkruan dhe shënon jo më tepër se një botë e cila karakterizohet me rrjete të lidhjeve që i kapërcejnë hapësirat multi-kontinentale.

Përkundër kësaj, globalizimi shënon rritjen ose zvogëlimin në shkallë të globalizmit. Ai

fokusohet në forcat, dinamizmin ose shpejtësinë e këtyre ndryshimeve. Globalizmi, pra, e

përshkruan realitetin e të qenët i ndërlidhur, kurse globalizimi përfshinë shpejtësinë në të cilën këto lidhje shtohen apo pakësohen[1].  Ne këtu do të merremi me konceptin ‘globalizim’*, edhe pse për të njëjtën dukuri shpesh e hasim edhe termin globalizëm, sidomos e hasim të përdoret si një rrymë apo tendencë e cila e mbështet fort procesin e globalizimit.

Ç’është e vërteta, ekzistojnë shumë përkufizime (definicione) për atë se ç’është në të vërtetë globalizimi dhe lirisht mund të thuhet se këto përkufizime në të shumtën e rasteve janë tepër subjektive dhe varen nga përvoja dhe pozita e përkufizuesit, në ai ka mendime e qëndrime pro ose anti-globaliste.

Një definicion tipik – mirëpo kufizues – mund të merret nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN ose IMF), i cili e thekson ndërvarësinë ekonomike gjithnjë në rritje të vendeve rreth e përqark botës përmes shtimit të vëllimit dhe shumëllojshmërisë së transaksioneve tej-kufitare në mallra e në shërbime, rrjedhjen e lirë ndërkombëtare të kapitalit si dhe shpërndarjen tejet të shpejtë e të gjerë të teknologjisë[2].

Ky definicion ka të bëjë më shumë me të ashtuquajturin globalizim ekonomik, ndërsa shumë të tjerë duken se pajtohen me atë se globalizimi më shumë është një koncept qytetërimi (civilizimi) me aspektet e ndryshme të tij ekonomike, politike, kulturore dhe teknologjike, të cilët mund të jenë ngushtë të gërshetuar me njëri-tjetrin.

Duke u mbështetur me sa u tha më lart, mund të themi se “Globalizimi është një term përfaqësues për një seri komplekse të ndryshimeve ekonomike, sociale, teknologjike, kulturore dhe politike, që vërehen në ndërvarësinë (interdependence), integrimin dhe ndërveprimin (interaction) gjithnjë në rritje midis popujve dhe kompanive në vende të ndryshme të globit, botës”[3].

Ata që globalizimin e vlerësojnë si një zhvillim pozitiv, parimet bazë të tij i përmbledhin nën këta tituj: shekullarizimi, demokracia liberale, ekonomia e tregut të lirë dhe shteti juridik kushtetutar. Disa të tjerë këtë e shprehin më shkurtë me treshin e termave: në fushën e së drejtës, revolucioni “i të drejtave njerëzore”; në fushën e politikës, demokracia liberale dhe në fushën e ekonomisë,

ekonomia e tregut të lirë dhe prodhimi i mbështetur në konkurrencë.

Globalizimi sikur po shndërrohet në një fjalë magjike të përditshmërisë sonë. Proceset zhvillimore tashmë, nga dita në ditë, sikur janë duke u mbështetur në konceptet e internacionalizimit të të gjitha aktiviteteve njerëzore. E ashtuquajtura “botë e rrjedhave” është zëvendësuar me të ashtuquajturën “botë të vendeve ” (M. Castells). Kapitali qarkullon me shpejtësi të paparë, gjithashtu edhe mallrat, edhe njerëzit, edhe informatat, edhe idetë. Ky është një ekspansion i vërtetë dhe gati-gati edhe marramendës. Gjithashtu është evident edhe fakti se identiteti politik dhe ai kulturor në një mënyrë apo tjetrën po ndahet dhe po veçohet nga identiteti territorial (A. Appadurai). Njerëzimi, nga “prodhimtaria e gjërave në hapësirë” po lëviz drejt “krijimit të hapësirave” (H. Lefebvre). Kështu, nga dita në ditë, pa asnje dyshim, është duke u krijuar një kontekst global i ekzistencës së njeriut si dhe i krijimtarisë njerëzore në të cilat e përcaktojmë personalitetin tonë, ndërsa kemi gjithashtu edhe identitetin kulturor si dhe jetën tonë.

Globalizimi i ka përfshirë të gjitha qytetërimet, të gjitha kulturat dhe shoqëritë. Edhe pse i mbështetur në të ashtuquajturin liberalizim ekonomik, në funksionimin e tregut dhe standardizim, ai, mbi të gjitha, është një proces i llojllojshëm dhe kompleks. Llojllojshmëria dhe kompleksiviteti i globalizmit rrjedhin nga kyçja e qytetërimeve të ndryshme, nga kulturat dhe personat e ndryshëm në rrjedhat globale. Madje, gjithnjë e më shumë qartësohen edhe tipat e globalizimit ekonomik të cilat i mbështesin standardizimet e prodhimtarisë dhe këmbimin global kulturor të cilat, nga ana tjetër, mbështesin diversifikimin si dhe ridefinimin e identitetit kulturor. Globalizimi kulturor vihet re në perceptimet individuale të botës bashkëkohore si të definuar, por funksionale (në rrafshin e vlerave komunikuese dhe përmbajtjesore) të tërësive të ndërlidhura

.
Globalizimi kulturor rrjedh dhe inicion dy procese: diversifikimin kulturor si dhe riidentifikimin kulturor. Diversifikimi kulturor hap hapësirë për emancipimin e të gjitha kulturave dhe ndikon në të ashtuquajturin dehierarkizimin e kulturës gjegjësisht të kulturave. Dhe, kështu, nuk do mend se me këtë, në një mënyrë apo tjetrën, është vënë në mëdyshje koncepti integrues i kulturave nacionale duke e futur fuqishëm në këtë koncept edhe respektimin e të drejtave kulturore (e drejta në respektimin e gjuhës së minoriteteve, pastaj e drejta në përzgjedhjen e kulturës vetanake dhe të përkatësisë, e drejta në përzgjedhjen e religjionit etj.), mbi të gjitha si të drejta njerëzore. Kështu, edhe individët, edhe shoqëritë mund t’i akceptojnë vlerat e ndryshme kulturore në bazë të përcaktimeve vetanake. P.sh., në kornizat e përkatësisë së harkut kulturor europerëndimor mund të dëgjohet muzikë afrikane, të shikohet teatër japonez apo ballkanik, shqiptar, kroat apo rumun, apo njerëzit të ushqehen me ushqime nga kuzhina kineze apo edhe të veshin sari indian, dhe kjo, të thuash askënd mos ta shqetësojë në mënyrë të veçantë. Mirëpo, ajo që është evidente është se cilado prej këtyre përzgjedhjeve, qofshin ato më kohëshkurtra apo edhe më kohëgjata, detyrimisht do të ndikojnë në ridefinimin e identitetit kulturor të njerëzve. Kështu (re)identifikimi kulturor është, si të thuash, një proces i hapur në të gjitha shoqëritë dhe në të gjitha qytetërimet; në vendet e zhvilluara, më pak të zhvilluara si dhe në ato të pazhvilluara fare.

Por, nga ana tjetër, proceset e identifikimit kulturor jo rrallë janë të ngarkuara me konflikte irracionale, në veçanti kur kemi të bëjmë me identitetet kulturore të minoriteteve apo edhe në shoqëritë në të cilat përzgjedhjet individuale të vlerave kulturore bien ndesh dhe në kundërshti të ashpër me tradicionalizmin kolektiv, që do të thotë ato forca shoqërore të cilat dëshirojnë të eliminojnë apo edhe t’u shmangen respektimit të të drejtave kulturore, e për çfarë pandeh se një prej shembujve më eklatant në Evropë është pikërisht Ballkani.
Edhe pse globalizimi kulturor në veçanti cyt llojllojshmërinë kulturore si dhe rivlerësimin e identitetit kulturor, ajo megjithatë në rrafshin global sikur fut disa standarde elementare kulturore. Kështu p.sh. lufta kundër analfabetizmit është shndërruar në një standard të veçantë të zhvillimit kulturor, ndërsa në botën bashkëkohore standard konsiderohet, ta zëmë edhe kultura e punës me kompjuter, respektivisht aftësia e komunikimit elektronik në rrjet. Por ama, edhe pse të krijuara, këto standarde në aspektin kulturor nuk janë ekskluzive, por as nuk janë të imponuara në vetëm një kulturë apo edhe nga ana e një kulture të vetme, edhe pse, rrjedhimisht gjenerojnë nga një kontekst i njëjtë qytetërues (europerëndimor), ngaqë janë përfundimisht të hapura për të gjitha përmbajtjet e mundshme kulturore. Ndaj dhe për këtë arsye njerëzit edhe shkollohen në gjuhë të ndryshme duke përdorur edhe alfabete e edhe përmbajtje kulturore dhe tradicionale prej më të ndryshmëve. Ndërsa, kur të komunikojnë përmes rrjeteve të ndryshme (elektronike ta zëmë) apo edhe drejtpërdrejt, përmbajtjet dhe kuptimësitë e një komunikimi të tillë varen ekskluzivisht nga përzgjedhjet dhe preokupimet individuale të secilit prej tyre.
Kjo mbase mund të konsiderohet edhe një nga arsyet për shkak të të cilave globalizimi kulturor nuk mund të barazohet me të ashtuquajturin nocion vesternizim (perendizim) siç pretendojnë antiglobalistët në përgjithësi dhe në veçanti. Ky pra, globalizimi, nuk e imponon eksklusivitetin, apo siç i themi ne, përjashtueshmërinë kulturore dhe civilizuese e as që mund ta pranojë dhe mbështesë konceptin e një bote unike dhe të vetme. Pavarësisht globalizimit të standardeve kulturore, bota jonë kulturore do të ngelë përjetësisht e ndryshme dhe gjithmonë e shënjuar me perceptimet e vlerave kulturore. Njerëzimi sot jeton me plot e përplot bota paralele dhe bota kulturore (Knutsson) të cilat mund të jenë të ndërlidhura vetëm me anë të komunikimit dhe të informacionit, gjegjësisht me dijen mbi vlerat e tyre të veçanta.

Kështu, pra, besojmë se globalizimi kulturor mundëson emancipimin e një numri jashtëzakonisht të madh të kulturave dhe të trashëgimive civilizuese, pasuri kjo e cila është në dispozicion për tërë njerëzimin. Vlerat dhe mesazhet e të gjitha kulturave qarkullojnë të thuash lirshëm dhe në një njëfarë mënyre janë, apo më mirë thënë, konsiderohen si burim të një lloji të rilindjes globale kulturore. Lidhjet kulturore, ndikimet dhe interaksionet e dinamizojnë zhvillimin kulturor, por edhe zhvillimin shoqëror në gjithë botën. Mbase një shembull i mirë për ta ilustruar këtë tezë mund të jetë pikërisht çështja e emancipimit të femrës në gjithë rruzullin, e madje-madje edhe në shoqëritë shumë tradicionale. Dhe ky në fakt del të jetë një proces i ri shoqëror, i induktuar, i cili, të thuash në mënyrë latente, të pahetueshme do të thoshim, po përfshinë të gjitha vendet, e zhvilluara dhe ato të pazhvilluarat, duke kontribuuar në formulimin e vlerave të reja kulturore.
Në kuptimësitë botërore manifestimi i identiteteve individuale apo kolektive (nacionale, etnike, klasore, të jashtmëve) është diç që nga shumë filozofë dhe globalistë është cilësuar si: pranim i pluralizmit kulturor dhe shoqëror. Kështu, hapja e skedave të globalizmit kulturor sikur e shton rolin e kulturës në ndryshimet e përgjithshme shoqërore. Kjo nënkupton, por nuk mohon, përmbajtjet e ndryshme të vlerave kulturore si dhe ndikon në konsumin specifik dhe të profiluar kulturor. Për këtë shkak, vlerat kulturore nisin që në mënyrë esenciale të ndikojnë edhe te ndryshimet institucionale si dhe reformat shoqërore. Me vetë zhvillimin e tij, pluralizmi kulturor mbështet autonominë kulturore dhe politike, dhe kështu në mënyrën më të drejtpërdrejtë ndikon dhe e mbështet zhvillimin e demokracisë.
Sot padyshim dihet se globalizmi ekonomik varet nga ndryshimet institucionale si dhe reformat në shoqëritë e caktuara. Shoqëritë sigurojnë funksionalitetin global të kapitalit, të investimeve, të prodhimtarisë dhe të tregut. Por, suksesi i të gjitha reformave shoqërore padyshim varet nga konteksti kulturor dhe civilizues. Ky kontekst nuk duhet që përmbajtësisht të standardizohet, ndaj dhe është e pasaktë dhe e padrejtë që nga kushdo qoftë globalizimin kulturor ta quajmë apo konsiderojmë uniformizim. Standard i përgjithshëm i pranueshëm është dhe mund të jetë vetëm hapja në të komunikuarit ndërmjet nesh e cila mundëson zgjedhje (të mirë apo edhe të keqe) kolektive apo edhe individuale tonën. Mbase ndonjë shoqëri mund ta përzgjedhë demokracinë apo autoritaritetin, hapjen dhe praninë aktive në botën bashkëkohore, apo edhe mbylljen, vetizolimin dhe reduksionizmin. Fundja, mundësia për të përzgjedhur është domosdoshmërish shenjë e lirisë, por edhe përgjegjësi, por është ajo mundësi e cila kurrë nuk mund të jetë e mirë deri në përkryerje dhe e përjetshme. Për këtë arsye variantet e kërkimit të vendit vetanake në botë si dhe të marrëdhënieve tona me të tjerët praktikisht është e pakufizuar, edhe pse ndonjëherë të kufizuara në aspektin kulturologjik.

Karakteristikat e globalizimit

Globalizimi / internacionalizimi është identifikuar me një numër prirjesh, shumica prej të cilave kanë mund të zhvillohen që nga Lufta II Botërore. Këto përfshijnë një lëvizje më të madhe ndërkombëtare të të mirave, të parave, të informatave e të njerëzve, si dhe përfshijnë zhvillimin e teknologjisë, organizatave, të sistemeve juridike e të infrastrukturës që e lejojnë dhe mundësojnë një lëvizje të këtillë.

Në vazhdim do të përmend veçoritë kryesore të këtij procesi të manifestuar në jetën

ekonomike, kulturore, juridike e teknologjike.

1. Në nivelin ekonomik globalizimi shfaqet në:

- rritjen e tregtisë ndërkombëtare në një shkallë shumë më të shpejtë sesa rritja e ekonomisë botërore,

- shtimin e rrjedhjes ndërkombëtare të kapitalit përfshirë edhe investimet e jashtme direkte,

- lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë shkaktuar krijimin e organizatave si

WTO* (Organizata Botërore e Tregtisë) dhe të karteleve ekonomike siç është OPEC,**

- zhvillimin e sistemeve globale financiare,

- rritjen e rolit të organizatave ndërkombëtare siç janë WTO, WIPO***, IMF**** që

merren me transaksione ndërkombëtare,

- shtimin e praktikave ekonomike si outsourcing (përdorimi i burimeve të jashtme) dhe

offshoring (zhvendosje e proceseve të biznesit nga një vend në tjetrin) nga korporatat

multinacionale…

2. Në nivelin kulturor globalizimi shfaqet në:

- shkëmbimin kulturor gjithnjë më të madh ndërkombëtar,

- përhapjen e multikulturalizmit si dhe pranimin më të mirë individual në shumëllojshmërinë kulturore, për shembull përmes eksportimit të filmave të Hollywoodit e të Bollywoodit. Megjithëkëtë, kultura e importuar lehtë mund t’ia zërë vendin kulturës lokale duke shkaktuar me këtë rast reduktimin e shumëllojshmërisë përmes hibridizimit ose madje edhe përmes asimilimit. Forma më e spikatur e kësaj është westernizimi (perëndimizimi), mirëpo gjithashtu ndodh edhe sinicizimi ose sinifikimi (asimilimi gjuhësor apo kulturor i termave dhe koncepteve në gjuhën apo kulturën kineze),

- udhëtimin dhe turizmin gjithnjë më të madh ndërkombëtar,

- imigrimin më të madh, përfshirë edhe imigrimin ilegal,

- shtrirjen e prodhimeve të gatshme lokale (p.sh. ushqimit) në vende të tjera (shpesh të

adaptuara ndaj kulturës së atyre vendeve),

- modat (trillet) botërore dhe në kulturat pop(ullore) siç janë Pokemon, Sudoku, Numa

Numa, Origami, Seritë idole, YouTube, My Space, Messenger dhe shumë të tjera.

- ngjarjet botërore të sportit siç është Kupa Botërore e FIFA-s (Federata

Ndërkombëtare e Futbollit) dhe lojërat olimpike,

- formimin ose zhvillimin e një sërë vlerash universale…

3. Në nivelin teknik / juridik globalizimi manifestohet në:

- zhvillimin e një infrastrukture globale për telekomunikim dhe në rrjedhjen më të

madhe të të dhënave përtej kufirit, duke përdorë teknologjinë si internetin, satelitët

për komunikim, fijet optike të nëndetëseve dhe telefonat celularë,

- shtimin e numrit të standardeve të zbatuara në shkallë globale, p.sh. ligjet për të

drejtat e autorit (copyright laws) dhe patentat,

- iniciativën e shumë avokatëve për themelimin e gjykatave ndërkombëtare për krime

lufte dhe lëvizjeve ndërkombëtare për drejtësi, si për shembull kemi ICC – The

International Criminal Court (Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte) dhe ICJ –

The International Court of Justice (Gjykata Ndërkombëtare)…

Shpesh thuhet se madje edhe terrorizmi ka pësuar një globalizim, me sulmet në vendet e jashtme që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta me vendin amë.10 Mendime e sidomos deklarata të këtilla sot dëgjohen nga shumë politikanë anekënd botës, “lufta kundër terrorizmit global” etj…

About these ads
Ky zë u postua te kultura. Faqeruani permalidhjen.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s